Kapitulli 11 nga 15

Skedarët dhe SFTP

Si të menaxhoni skedarët e faqes me File Manager në shfletues dhe si të lidheni me SFTP nëpërmjet FileZilla, WinSCP ose Cyberduck.

Në këtë udhëzues
  1. File Manager në shfletues
  2. Dosjet që përdorni më shpesh
  3. Çfarë është SFTP
  4. Krijoni një llogari SFTP
  5. Lidhuni me FileZilla
  6. Pas ngarkimit të skedarëve

Skedarët e faqes suaj (WordPress, temat, shtojcat, imazhet) mund t'i menaxhoni në dy mënyra: me File Manager direkt në shfletues, ose me një program SFTP në kompjuterin tuaj. Të dyja gjenden te seksioni File & Access i panelit.

File Manager në shfletues

File Manager është mënyra më e shpejtë për një ndryshim të vogël, pa instaluar asgjë.

  1. Nga host.appalbania.com/account klikoni Hyr në panelin e hostingut dhe zgjidhni faqen tuaj.
  2. Në menunë anësore hapni File & Access → File Manager.
  3. Shfletoni dosjet e faqes: wp-admin, wp-content, wp-includes, wp-config.php e të tjera.
  4. Për çdo skedar keni veprimet: redaktim, riemërtim, shkarkim dhe fshirje.
  5. Përdorni Create për një skedar ose dosje të re dhe Refresh për të rifreskuar listën.
File Manager në panelin e hostingut me dosjet e WordPress
File & Access → File Manager: dosjet e faqes suaj.

Para se të redaktoni ose fshini skedarë të rëndësishëm, si wp-config.php ose skedarë të temës, shkarkoni një kopje. Një gabim i vogël mund ta nxjerrë faqen jashtë funksionit. Mos i ndryshoni skedarët te wp-admin dhe wp-includes: ato janë pjesë e WordPress dhe zëvendësohen në çdo përditësim.

Dosjet që përdorni më shpesh

  • wp-content/themes – temat e instaluara.
  • wp-content/plugins – shtojcat. Nëse një shtojcë e prish faqen dhe nuk hyni dot në WP Admin, riemërtoni dosjen e saj këtu për ta çaktivizuar.
  • wp-content/uploads – imazhet dhe skedarët që keni ngarkuar në Media.
  • wp-config.php – cilësimet kryesore të WordPress. Shumicën e tyre mund t'i ndryshoni më sigurt te Konfigurimet.

Çfarë është SFTP

SFTP (SSH File Transfer Protocol) është një mënyrë e sigurt, e enkriptuar, për të lëvizur skedarë mes kompjuterit tuaj dhe serverit. Është më e përshtatshme kur ngarkoni shumë skedarë njëherësh, p.sh. një temë të tërë ose një dosje me imazhe.

Krijoni një llogari SFTP

  1. Në panel hapni File & Access → SFTP.
  2. Te SFTP Accounts klikoni Create SFTP Account.
  3. Vendosni një emër përdoruesi dhe një fjalëkalim të fortë.
  4. Ruajeni. Shënoni emrin dhe fjalëkalimin në një vend të sigurt.

Në të njëjtën faqe, te SFTP Info, gjeni adresën IP të serverit dhe Port-in. Porti nuk është ai standard, ndaj kopjojeni gjithmonë nga paneli.

Faqja SFTP me SFTP Info dhe listën e llogarive SFTP
File & Access → SFTP: të dhënat e lidhjes dhe llogaritë.

Lidhuni me FileZilla

FileZilla është një program falas për Windows, macOS dhe Linux. Mund të përdorni edhe WinSCP ose Cyberduck; fushat janë të njëjta.

  1. Hapni FileZilla dhe zgjidhni File → Site Manager, pastaj New site.
  2. Te Protocol zgjidhni SFTP - SSH File Transfer Protocol.
  3. Te Host vendosni adresën IP nga SFTP Info në panel.
  4. Te Port vendosni portin nga SFTP Info.
  5. Te Logon Type zgjidhni Normal, pastaj shkruani emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin e llogarisë SFTP.
  6. Klikoni Connect. Herën e parë FileZilla ju pyet nëse i besoni çelësit të serverit; pranojeni.

Në të majtë shihni kompjuterin tuaj, në të djathtë skedarët e faqes. Tërhiqni skedarët nga njëra anë në tjetrën për t'i ngarkuar ose shkarkuar.

Nëse lidhja dështon, kontrolloni tri gjëra: protokolli duhet të jetë SFTP (jo FTP), porti duhet të jetë ai nga paneli dhe fjalëkalimi duhet të jetë i llogarisë SFTP, jo i llogarisë suaj te host.appalbania.com.

Pas ngarkimit të skedarëve

Nëse pas ngarkimit WordPress nuk i lexon ose nuk i shkruan dot skedarët, hapni Manage dhe klikoni Fix Permission. Ky veprim rregullon lejet e skedarëve. Më shumë te Problemet dhe log-et. Për një udhëzues më të gjatë lexoni File Manager dhe SFTP.

Keni nevojë për ndihmë? Na shkruani te mbështetja.